- ACQJ's Newsletter
- Posts
- Buletini Mujor Tetor 2025
Buletini Mujor Tetor 2025
Rikthim tek historitë e Tetorit 2025
Tetori ishte një muaj ku realiteti shqiptar u shfaq në kontrastet e tij më të forta: mes dritës dhe errësirës, shpresës dhe lodhjes, kujtesës dhe revoltës. Në çdo histori të publikuar, u ndje një frymë e përbashkët, ajo e njerëzve që përballen çdo ditë me mungesë dinjiteti, heshtje institucionale dhe shpesh me një sistem që harron të dëgjojë. Ky muaj na solli rrëfime të dhimbshme, por edhe reflektime të nevojshme për mënyrën se si ndërtojmë një shoqëri më të drejtë e më humane.
Në zemër të Tiranës, Piramida e Tiranës, nga simbol i pushtetit në qendër të konsumit u bë metaforë e përsosur e tranzicionit tonë: një strukturë që ka parë glorifikim, braktisje, nostalgji dhe sot transformim në hapësirë tregtare e teknologjike. Nga një tempull ideologjik, në një qendër konsumizmi, një pasqyrë e Shqipërisë që kërkon modernitet, por rrallë ndalet të pyesë çfarë humbet në këtë rrugë.
Në të njëjtën kohë, Boom-i i ndërtimit në Tiranë çdo ditë tregon fytyrën tjetër të këtij “zhvillimi”: një qytet që ngrihet më shpejt se planifikimi, ku betoni zë frymën e ajrit dhe paratë publike derdhen pa transparencë. Qytetarët e ndjejnë këtë peshë në çdo rrugë që hapet pa standard, në çdo trotuar që zhduket nën një kafe të re, dhe në çdo hapësirë të gjelbër që mbulohet nga hije kullash. E njëjta ndjenjë braktisjeje u ndje edhe tek Ura e Rubikut, simbol i një infrastrukture që s’mban më as peshën e përditshmërisë së qytetarëve.
Në frontin e shëndetit dhe dinjitetit njerëzor, tetori solli histori që prekin thellë ndërgjegjen. Me ligje të vitit ‘96 që shkaktojnë dhimbje në 2025 shohim realitetin absurd të një ligji që nuk njeh më kohën, duke lënë jetimët në mëshirën e fatit. Ndërsa protestat e shoqatave të të verbërve në Tiranë gjatë Ditës Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë dëshmuan sesi 13.500 qytetarë jetojnë mes premtimeve të harruara dhe politikave që ekzistojnë vetëm në letër. Po aq e rëndë mbetet edhe situata për personat me probleme të shëndetit mendor, një sistem që shembet nën mungesën e fondeve, kujdesit dhe përgjegjësisë.
Por dhimbja nuk qëndroi vetëm në fushën e shëndetit. Në një muaj kur ndërgjegjja kolektive u vu në provë, Tetori i Zi solli zërat e qytetarëve që protestuan për mungesën e ilaçeve dhe trajtimit në Onkologjik. Në vend të shpresës rozë, Tirana u mbulua me të zezë, si shenjë e revoltës kundër një sistemi që s’kupton më kuptimin e fjalës “kujdes”. Dhe në të njëjtën frymë, Ligji mbron, por realiteti ndëshkon rikujtoi padrejtësinë që përjetojnë gratë shtatzëna në vendin e punës.
Në sferën e mjedisit, alarmi vazhdon të bjerë pa u dëgjuar. Lumenjë toksikë vijojnë ene të rrjedhin duke shkatërruar ekosistemet dhe shëndetin e njerëzve. Dhe ndërsa lumenjtë vdesin, hulumtimet mbi cilësinë e ushqimeve në tryezat tona treguan se edhe ushqimi që hamë është shpesh jashtë çdo kontrolli.
Por tetori nuk foli vetëm për dështime. Ai na kujtoi se kujtesa dhe reflektimi mbeten armët më të forta të një shoqërie që kërkon të rritet. Në Spaç, ekspozita “Maskat që zbulojnë” solli një akt guximi artistik: maska që nuk fshehin, por zbulojnë plagët e së kaluarës – një kujtesë e fortë se e kaluara nuk zhduket duke e heshtur.
Dhe mes gjithë këtyre rrëfimeve, një zë i qetë por i fuqishëm erdhi përmes podcastit “Shoqëria shqiptare: deri ku arrijmë për vëmendje?”, një bisedë që na bëri të mendojmë mbi etjen për dukje, spektaklin e përditshëm dhe rrezikun për të harruar kush jemi në të vërtetë.
Ky ishte Tetori ynë: një muaj që na bëri të shohim më qartë plagët dhe kontradiktat, por edhe forcën e fjalës që i bën ato të dukshme. Ju ftojmë t’i riktheheni këtyre historive, t’i ndani, t’i lexoni dhe t’i dëgjoni me kujdes, sepse gazetaria jonë nuk ndalet tek lajmi, por vazhdon të kërkojë kuptim dhe ndryshim.
Burimet minimale për fëmijët me çrregullime mendore dhe shërbimet private të kthyera në biznesNë Shqipëri, fëmijët dhe adoleshentët me çrregullime mendore përballen me një sistem të brishtë, me kapacitete të kufizuara dhe burime njerëzore të pamjaftueshme. Teksa QSUNT ofron vetëm 8 shtretër për këtë grupmoshë dhe shërbimet komunitare mbeten të centralizuara, prindërit detyrohen të përballen me kostot e rënda të qendrave private. Mungesa e kontrollit, informaliteti dhe rritja e rasteve e kthejnë shëndetin mendor të të miturve në një krizë sociale me pasoja afatgjata. |
Rreziku imadh që vjen nga Unaza e MadheNë një rrugë që kushtoi 433 milionë euro, rreziku fshihet pas çdo hyrjeje të paligjshme. Unaza e Madhe, e trumbetuar si autostrada më moderne e Tiranës, po kthehet në një fushë kaosi ku kamionët futen pa paralajmërim, barrierat priten dhe institucionet “lajnë duart”. Në vend të sigurisë që u premtua, qytetarët përballen çdo ditë me një rrugë pa kontroll, pa standarde dhe pa përgjegjës. |
Çdo trup ujor në Shqipëri i ndotur: Çfarë zbulon raporti i “Active Water II” për ndotjen që rrjedh në heshtjeNga Bovilla te Hamallaj, nga Farka te Prespa, uji që na mban gjallë po bëhet pasqyrë e dështimeve tona. Raporti i pare i monitorimit “Active Water II” zbulon një Shqipëri ku liqenet urbane, kanalet kulluese dhe plazhet mbajnë brenda tyre ndotje masive fekale, kimike dhe ngërç institucional. |
Shoqëria shqiptare: deri ku arrijmë për vëmendje?
Në një shoqëri ku gjithçka shndërrohet në spektakël, vëmendja është bërë pushteti më i madh. Nga rrjetet sociale tek mediat, nga shfaqjet e përditshme tek debati publik, çdo gjest, çdo fjalë, çdo imazh duket se ka vetëm një qëllim: të tërheqë sytë e të tjerëve. Por çfarë ndodh me përmbajtjen, me mendimin, me dinjitetin, kur gjithçka matet me pëlqime dhe ndjekës?
Në këtë episod të “Table Talk”, sociologu Ergys Mertiri flet për etjen e shoqërisë shqiptare për vëmendje, një etje që na bën të ndërtojmë identitete të rreme, të jetojmë mes dy botëve, dhe të harrojmë ngadalë kush jemi në të vërtetë.
Boom-i i ndërtimit në Tiranë! Shumë beton, pikëpyetje dhe pak… hetimeTirana po jeton një bum ndërtimi që po e transformon fytyrën e saj çdo muaj: qindra leje të reja, miliona metra katrorë betoni dhe një horizont që ngrihet më shpejt se planifikimi urban. Ndërsa bashkia numëron miliardat nga taksat e ndërtimit, qyteti përballet me mungesë ajri, hapësira të zhdukura gjelbërimi dhe një krizë të thellë jetueshmërie. |
Barometri i Sigurisë 2025: korrupsioni dhe krimi, kërcënimet kryesore për shqiptarëtSipas Barometrit të Sigurisë 2025 të CSDG, qytetarët shohin institucionet e korruptuara dhe ndikimin e krimit në politikë si kërcënimet më të mëdha për sigurinë, ndërsa besimi më i madh i jepet SPAK-ut dhe partnerëve perëndimorë. |





