- ACQJ's Newsletter
- Posts
- Buletini Mujor Shtator 2025
Buletini Mujor Shtator 2025
Një Muaj Plot Rrëfime – Shtator 2025!
Shtatori ishte një muaj i mbushur me rrëfime të forta, të cilat prekin jetën e përditshme, kujtesën kolektive dhe të ardhmen e shoqërisë sonë. Nga drejtësia tek shëndeti publik, nga energjia tek kujtesa industriale, çdo produkt i publikuar gjatë këtij muaji na rikujtoi se realiteti shqiptar është plot kontraste, dritë-hije dhe pyetje të hapura.
Në frontin e drejtësisë, ne rikthyem vëmendjen tek fjalët dhe veprimet e pushtetit që minojnë pavarësinë e gjyqësorit. Artikulli mbi “Revolucionin Kulturor Kinez dhe pavarësinë e gjyqësorit” na solli kujtimin e fletërrufeve të së shkuarës, për ta krahasuar me sulmet publike ndaj gjyqtarëve sot, një paralelizëm i dhimbshëm që tregon sa i brishtë mbetet shteti i së drejtës.
Në jetën urbane të Tiranës, zëri i qytetarëve u bë i dukshëm përmes dy realiteteve të rëndësishme: mungesa e ujit të pijshëm dhe mungesa e çerdheve e kopshteve publike. Dy histori që në pamje të parë duken të ndryshme, por që në fakt tregojnë të njëjtën gjë, një kryeqytet që ndërton kulla dhe luks, por lë prapa nevoja elementare për qytetarët e tij.
Një tjetër temë prekëse ishte jeta e personave me aftësi të kufizuara, të cilët ende luftojnë për një të drejtë themelore: asistencën personale. Ky boshllëk, edhe pse i garantuar me ligj, rëndon mbi familjet që duhet të sakrifikojnë punën, jetën sociale dhe shpesh dinjitetin e tyre.
Në fushën e mjedisit dhe energjisë, trajtuam “revolucionin e gjelbër” të Shqipërisë. Pas suksesit të hidrocentraleve fshihen lumenj të futur në tuba, kontrata abuzive dhe komunitete të anashkaluara. Megjithatë, mes këtyre hijesh, një shpresë e re po lind: kooperativat energjetike, modele që i kthejnë qytetarëve kontrollin dhe fitimin mbi energjinë.
Shëndeti publik u bë një tjetër shtyllë e rëndësishme e këtij muaji. Nga mungesa e fizioterapisë për pacientët me sklerozën multiple, tek kushte çnjerëzore në Shënkoll për personat me çrregullime mendore, e deri tek sistemi i mbingarkuar psikiatrik që lë “të padukshmit” në harresë. Këto histori nuk flasin vetëm për dështimet e institucioneve, por për peshën e padurueshme që bien mbi individë dhe familje.
Në anën tjetër, dokumentarët tanë na çuan në një udhëtim mes kujtesës dhe shpresës. Në Ballsh dhe Kuçovë sollëm rrëfimin e industrisë së naftës që dikur mbante gjallë mijëra familje, sot të zhytura në heshtje e papunësi. Në Poliçan eksploruam historinë e qytetit të armëve, një ëndërr industriale e rrënuar nga tranzicioni. Ndërsa në Zall Gjoçaj, Shushicë dhe Vjosë dëgjuam komunitetet që mbrojtën lumin si shpirtin e jetës, duke u bërë shembull rezistence për të gjithë.
Ky ishte Shtatori ynë: një muaj plot me histori që meritojnë të lexohen, të shihen dhe të ndahen. Nëse i keni humbur, është koha të riktheheni tek to dhe të bëheni pjesë e këtij rrëfimi të përbashkët.
Mirë se erdhët në hapësirën ku gazetaria nuk ndalet tek lajmi – por bën ndryshim.
Tiranës i mungojnë çerdhet dhe kopshtet publikeNë Tiranë, fillimi i vitit të ri për më të vegjlit nuk është gjithmonë festë. Mijëra prindër përballen me radhë të gjata, refuzime dhe kosto të papërballueshme, pasi çerdhet dhe kopshtet publike janë shumë më pak se nevojat reale. Me vetëm pak institucione funksionale përballë një qyteti që rritet çdo ditë, qindra fëmijë mbeten jashtë sistemit. Pasojat prekin familjet, ekonominë dhe vetë fëmijët. |
Dritë-hijet “e revolucionit të gjelbër” në Shqipëri: Nga lumenjtë në tuba tek modeli tirolian që mund të frymëzojë një tranzicion të drejtëShqipëria është lider europian në energjinë e rinovueshme, ndërkohë që vuan nga lumenj të futur në tuba, kontrata abuzive, bashki të varfra dhe komunitete që mbeten jashtë loje. Në këtë mozaik dritë-hijesh, del një shteg i ri: kooperativat energjetike që ulin faturat, kthejnë fitimet në vend dhe mbajnë gjallë besimin publik. Tranzicioni i gjelbër merr kuptim kur natyra respektohet, qytetarët përfitojnë dhe energjia bëhet e përbashkët. |
Shpirti i Ujit, Zëri i Njerëzve
Shpirti i Ujit, Zëri i Njerëzve – Një dokumentar për Zall Gjoçajn, Shushicën dhe Vjosën, ku komunitetet nuk pranuan të heshtnin përballë hidrocentraleve që u merrnin ujin e jetës. Nga protesta te gjykatat, nga fshatrat e thella te vëmendja ndërkombëtare – kjo është historia e njerëzve që mbrojtën lumin dhe të ardhmen e tyre.
Mungesa e fizioterapisë, plagë për pacientët me sklerozën multipleNë Shqipëri, pacientët me sklerozën multiple përballen jo vetëm me sfidën e një sëmundjeje të pashërueshme, por edhe me mungesën e një shërbimi jetik, fizioterapisë. Megjithëse ligji e garanton dhe ministria e ka premtuar, realiteti mbetet i zbrazët. Qendrat publike janë të pakta, të papërshtatshme dhe të paaksesueshme. |
Burgu i harresës: Shënkolli, plaga pa shërim e shëndetësisë ShqiptarePrej dekadash, Shqipëria mban të mbyllur në burgje të zakonshme njerëz me çrregullime mendore në konflikt me ligjin, duke shkelur të drejtat e tyre dhe standardet europiane. Shënkolli, institucioni më i mbingarkuar, përfaqëson një plagë të hapur të shëndetësisë dhe drejtësisë sonë: dhoma të mbipopulluara, mungesë specialistësh, kushte degraduese dhe marrëveshje të pambajtura. Pavarësisht vendimeve të Strasburgut dhe premtimeve qeveritare, spitali i posaçëm mbetet vetëm në letër. Një histori harrese që rëndon mbi qindra jetë çdo ditë. |







