- ACQJ's Newsletter
- Posts
- Buletini Mujor Shkurt 2026
Buletini Mujor Shkurt 2026
Çfarë na tregoi Shkurti - Nga borxhi publik te shëndeti mendor i fëmijëve, zhvillimet që formësuan muajin.
Nga Redaksia
Shkurti u duk më i qetë se janari. Por jo më i lehtë.
Ishte një muaj raportesh, vendimesh dhe shifrash që kërkojnë vëmendje. Një muaj ku drejtësia, financat publike dhe shëndeti u bënë pjesë e të njëjtit diskutim për besimin dhe përgjegjësinë.
Në këtë edicion rikthehemi tek historitë që shënuan muajin, jo si lajme të ndara, por si pjesë e një tabloje më të gjerë që po formëson të tashmen tonë.
Shkurti në Fokus
Nëse Janari ishte muaji i motit ekstrem, Shkurti ishte muaji i institucioneve. I raporteve. I hetimeve. I statistikave që nuk mund të injorohen.
Por përtej dokumenteve dhe deklaratave, ajo që mbeti ishte një pyetje më e thjeshtë: si përkthehen këto zhvillime në jetën e përditshme?
Një raport i Komisionit Europian riktheu vëmendjen tek borxhi publik. Shifrat tregojnë se ai është ulur krahasuar me kulmet e pandemisë, por mbetet ndër më të lartët në rajon. Për shumë qytetarë, kjo nuk është thjesht çështje makroekonomike. Do të thotë më pak hapësirë për investime, më shumë presion mbi buxhetin dhe një rrugë drejt BE-së që mbetet e pasigurt. Në të njëjtën kohë, Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit konfirmoi një ndjesi që shumë e kanë prej vitesh: besimi tek institucionet vazhdon të jetë i brishtë.
Kjo brishtësi u pa qartë në zhvillimet rreth çështjes Balluku. Kërkesa e SPAK për autorizim parlamentar dhe reagimet që pasuan nuk ishin vetëm një debat procedural. Ato u kthyen në një test për balancën mes pushteteve. Organizatat e shoqërisë civile paralajmëruan për rrezikun e zvarritjeve politike, ndërsa opinioni publik ndoqi me vëmendje çdo hap. Në të njëjtin muaj, një raport mbi Këshillin e Lartë të Prokurorisë vlerësoi disa arritje të reformës në drejtësi, por theksoi se pavarësia formale nuk mjafton pa kapacitete reale dhe llogaridhënie të qëndrueshme.
Ndërkohë, në Hagë po afrohet një verdikt që do të ndikojë mënyrën si do të rrëfehet historia e luftës në Kosovë. Procesi ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së nuk është vetëm një çështje gjyqësore. Ai prek kujtesën kolektive dhe ndjeshmëritë e një rajoni të tërë.
Por Shkurti nuk ishte vetëm për politikë dhe drejtësi. Ishte edhe për histori që duken më të vogla, por prekin drejtpërdrejt jetën e njerëzve.
Karta e Studentit, e premtuar si mbështetje konkrete për të rinjtë, sot funksionon kryesisht si abone transporti. Nga qindra shërbime të listuara, përfitimet reale mbeten minimale. Për studentët që përballen me qira të larta dhe kosto jetese në rritje, kjo diferencë mes premtimit dhe realitetit ka peshë.
Vetëm 20 minuta nga Tirana, në Luz të Fushë-Krujës, një rrugë e paasfaltuar prej vitesh vazhdon të ndajë komunitetin nga pjesa tjetër e vendit. Banorët protestojnë, premtimet përsëriten, por balta mbetet. Është një histori që përsëritet në zona të ndryshme të vendit: afërsia me qendrën nuk garanton zgjidhje.
Shëndeti publik solli disa nga shifrat më të rënda të muajit. Mbi 7 mijë raste të reja me kancer çdo vit. Një sistem që duhet të përgatitet për më shumë pacientë, më shumë trajtime, më shumë mbështetje. Në të njëjtën kohë, mbi 9 mijë telefonata për ndihmë tregojnë për një krizë të heshtur në shëndetin mendor të fëmijëve. Ankthi, bullizmi online, konfliktet familjare, realitete që nuk shfaqen gjithmonë në debate politike, por që ndikojnë drejtpërdrejt tek brezi i ri. Vetëm gjatë vitit 2025, janë raportuar 615 raste të dhunës online ndaj fëmijëve, shumica prej tyre ndaj vajzave.
Edhe ekonomia po ndryshon formë. Thirrja e Tatimeve drejtuar influencerëve për të deklaruar të ardhurat sinjalizon fundin e një periudhe informale në tregun digjital. Për disa është formalizim i nevojshëm. Për të tjerë, një ndryshim i papritur, por pjesë e një realiteti më të gjerë: ekonomia online nuk është më periferike.
Në Tiranë, menaxhimi i mbetjeve mbetet një çështje e pazgjidhur. Fondet janë rritur, premtimet për modernizim janë përsëritur, por për shumë qytetarë përvoja e përditshme nuk ka ndryshuar ndjeshëm. Edhe buxhetet miliardëshe të miratuara çdo vit nuk përkthehen gjithmonë në investime të realizuara.
Në sfond, po ndodh një ndryshim më i thellë: Shqipëria po plaket. Me 74% më pak lindje krahasuar me vitet ’90, vendi po hyn në një fazë të re demografike. Kjo prek tregun e punës, sistemin e pensioneve, shkollat, komunitetet. Edhe industria tradicionale e bukës po përballet me mungesë punonjësish, pavarësisht pagave më të larta. Emigrimi dhe boshatisja e arsimit profesional po ndryshojnë ekuilibrat në mënyra që ndihen gradualisht.
Shkurti 2026 nuk ishte një muaj dramatik. Por ishte një muaj i qartë. Një muaj që tregoi se sfidat nuk janë të izoluara. Ato lidhen mes tyre, nga borxhi publik te rruga e paasfaltuar, nga drejtësia te shëndeti i fëmijëve.
Nëse nuk i keni ndjekur të gjitha këto histori, ju ftojmë t’u riktheheni. Jo për t’i lexuar si lajme të shkëputura, por për t’i parë si pjesë të së njëjtës tablo. Sepse shpesh, kuptimi nuk qëndron tek titulli i ditës, por tek mënyra se si ngjarjet lidhen mes tyre.
Mirupafshim në buletinin e radhës!
Fjalë nga e Kaluara
Një udhëtim mes tingujve, fjalës dhe kujtesës kolektive. “Fjalë nga e Kaluara” rikthen në skenë dialogët ikonë të kinematografisë shqiptare përmes një koncert-spektakli intim për violonçel, piano dhe zë narrativ. Një përjetim artistik që ndërthur nostalgjinë me një lexim të ri kritik të së shkuarës, aty ku muzika dhe fjala bëhen një.
Alarmi: Furrat pa bukëpjekësFurrat shqiptare po përballen me një krizë të heshtur: mungesën e bukëpjekësve. Edhe pse pagat kanë arritur deri në 1500 euro, emigrimi, boshatisja e shkollave profesionale dhe kushtet e vështira të punës po largojnë të rinjtë nga zanati. Industria paralajmëron industrializim të detyruar dhe humbje të identitetit të bukës artizanale. |
Tirana e “miliardave në letër”, Bashkia miraton buxhetet që nuk i shpenzonBuxhete miliardëshe miratohen çdo vit nga Bashkia e Tiranës, por një pjesë e konsiderueshme mbetet e pashpenzuar. Të dhënat zyrtare tregojnë një hendek të vazhdueshëm mes planifikimit dhe realizimit, veçanërisht në investimet kapitale. |
Siguria ushqimore, fëmijë dhe të rritur në rrezik!
Në intervistë me ekspertin e sigurisë ushqimore dhe drejtorin e qendrës “Alert”, Granit Sokolaj, diskutuam për rreziqet që i kanosen fëmijëve dhe të rriturve nga produktet në treg. U ndalëm tek alarmi i autoriteteve europiane për qumësht formulë të kontaminuar si Aptamil apo Bimbi, çfarë duhet të kenë parasysh prindërit dhe cilat masa janë marrë në vend.
Sokolaj thekson se dyshohet për një vaj me origjinë nga Kina si burim kontaminimi, që mund të shkaktojë probleme shëndetësore te fëmijët. Biseda përfshiu edhe sigurinë e produkteve vendase, fondet e bllokuara të IPARD dhe rolin e Linjës së Gjelbër në mbrojtjen e konsumatorit.
Përmbytjet: Klima ka ndryshuar, qeveria ende me projekte të viteve ‘80Reshjet e forta po përmbytin zona që në hartat zyrtare rezultojnë të sigurta. Ndërsa klima ndryshon dhe episodet ekstreme shtohen, planifikimi urban dhe infrastruktura vazhdojnë të mbështeten mbi projekte të vjetra dhe modele të tejkaluara. Investimet rriten, por fondet për emergjencat bien, duke e kthyer çdo stuhi në një fatkeqësi natyrore të rradhës. |
Çfarë kërkon Adriatik Lapaj?
Mes rezistencës pa ndërprerje, me 70 mijë vota nga 11 maji por sot jashtë parlamentit.
Adriatik Lapaj flet në "Table Talk" për mësimet, zhgënjimin dhe ambicien për të marrë pushtetin. Çfarë do të ndodhë me të ardhmen e tij politike, fundi i një lëvizjeje apo fillimi i një beteje të re?
Çështja Balluku: “Odiseja” e luftës mes pushteteveNga një hetim penal për tendera publikë te një përplasje e hapur mes qeverisë, SPAK dhe gjyqësorit, çështja Balluku u shndërrua në një odise institucionale. Vendime gjyqësore, reagime politike, boshllëqe ligjore dhe presion publik nxorën në pah kufijtë e brishtë mes pushteteve dhe vënë në provë funksionimin real të shtetit të së drejtës në Shqipëri. |
Dështimi i Eco Tirana, qindra milionë euro në plehraPavarësisht rritjes së vazhdueshme të fondeve publike dhe fitimeve financiare të Eco Tirana, situata e menaxhimit të mbetjeve në kryeqytet mbetet problematike. Që nga krijimi i kompanisë në vitin 2016, premtimet për diferencim në burim dhe pastrim modern nuk janë përmbushur, ndërsa shpenzimet janë rritur dhe shërbimi ka mbetur i pjesshëm. |
Kush po mban “peng” rivlerësimin e pronave?
Në “Table Talk”, eksperti i vlerësimit të pasurive të paluajtshme Ervin Demirxhiu analizon çfarë po ndodh realisht me tregun imobiliar: nga boom-i i ndërtimeve në Tiranë dhe rritja e çmimeve të banesave, si për shitje ashtu edhe për qira, te procesi i shumëpritur i rivlerësimit që ende nuk ka nisur.
I premtuar prej dy vitesh dhe i paralajmëruar për janar 2026, rivlerësimi mbetet në vendnumëro. Sipas Demirxhiut, ky proces po mbahet “peng”, duke ndikuar drejtpërdrejt pronarët, qytetarët dhe dinamikën e tregut.
Eksperti paralajmëron se në 5 vitet e ardhshme çmimet mund të rriten edhe më tej, të nxitura nga investimet e emigrantëve dhe interesimi në rritje i të huajve për të jetuar në Shqipëri.








