- ACQJ's Newsletter
- Posts
- Buletini Mujor Prill 2026
Buletini Mujor Prill 2026
Prilli në vëmendje - Nga largimi i njerëzve dhe parave te shëndeti publik dhe infrastruktura, historitë që zbuluan tensionet e përditshme.
Nga Redaksia
Prilli ishte një muaj ku shumë prej historive që trajtuam nuk kishin të bënin me ngjarje të papritura, por me probleme që vazhdojnë të përsëriten. Nga emigrimi dhe shërbimet publike te siguria, shëndeti dhe besimi tek institucionet, temat e këtij muaji treguan se ndryshimet më të mëdha shpesh ndodhin gradualisht, deri në momentin kur bëhen të pamundura për t’u injoruar.
Në këtë edicion rikthehemi tek këto histori jo vetëm për të kuptuar çfarë ndodhi gjatë Prillit, por edhe çfarë po ndryshon më thellë në shoqërinë shqiptare.
Prilli në Fokus
Prilli nuk ishte një muaj i ngjarjeve të papritura. Ishte një muaj që i bëri disa gjëra më të dukshme. Jo domosdoshmërisht më të reja, por më të qarta.
Ndërsa politika vazhdon të flasë për integrimin në Bashkimin Europian, një pjesë e shqiptarëve po e ndjek këtë rrugë në mënyrën e vet, duke u larguar drejt tij. Çdo vit, dhjetëra mijëra marrin shtetësi në vende të tjera. Nuk është vetëm një lëvizje njerëzish. Është një zhvendosje e aftësive, e energjisë, e kursimeve. Në të njëjtën kohë, edhe kapitali po ndjek të njëjtën rrugë. Paratë që dikur mbështesnin konsum dhe investime brenda vendit po zhvendosen jashtë, duke e bërë ekonominë gjithnjë e më të varur nga ajo që vjen nga jashtë, jo nga ajo që prodhohet brenda.
Kjo lëvizje nuk shpjegohet vetëm me dëshirën për një jetë më të mirë. Ajo lidhet me mënyrën si funksionojnë institucionet, me besimin që ndërtohet, ose që mungon. Gjatë këtij muaji, disa nga historitë më të forta nuk kishin të bënin me një ngjarje të vetme, por me përsëritjen e të njëjtave probleme në forma të ndryshme.
Ankesat për diskriminim janë rritur ndjeshëm, dhe shumica e tyre drejtohen ndaj institucioneve publike. Qytetarët po flasin më shumë, por përgjigjet mbeten të kufizuara. Në një tjetër kontekst, personat me aftësi të kufizuara vazhdojnë të përballen me të njëjtat pengesa në akses, punësim dhe shërbime, pavarësisht reformave dhe fondeve që shpallen çdo vit. Edhe aty ku ndërhyrja publike duhet të jetë më e drejtpërdrejtë, si në skemat sociale apo në strehimin, auditimet tregojnë mangësi në menaxhim, transparencë dhe zbatim.
Në nivel më konkret, këto boshllëqe marrin formë të prekshme. Një autostradë që nuk përfundon sipas afateve të premtuara. Një program arsimor që ngre pritshmëri, por mbetet i paqartë në zbatim. Janë detaje që, të marra veçmas, mund të duken të zakonshme. Por kur përsëriten, krijojnë një ndjesi që nuk është e lehtë të anashkalohet.
Në disa raste, pasojat janë më të rënda. Zjarret në pallate, që përhapen me shpejtësi për shkak të materialeve dhe mungesës së standardeve të sigurisë, nuk janë më incidente të izoluara. Aksidentet rrugore që brenda pak ditësh prodhojnë viktima dhe të plagosur rikthejnë të njëjtat pyetje për infrastrukturën dhe kontrollin. Landfillet që digjen çdo vit, në të njëjtat vende, lënë pas të njëjtën paqartësi: aksident apo mënyrë e heshtur për të përballuar një problem të pazgjidhur?
Edhe në shëndetësi, sinjalet janë të shumta dhe jo gjithmonë të qarta për publikun. Importet e ilaçeve po rriten, por bashkë me to edhe dyshimet për cilësinë dhe kontrollin. Në të njëjtën kohë, mungesa e barnave në treg dhe rastet e produkteve të skaduara tregojnë për boshllëqe në sistemin e mbikëqyrjes. Po ashtu, një rënie e vaksinimit tek fëmijët, e lidhur me frikëra dhe dezinformim, tregon se jo të gjitha sfidat lidhen me burimet, disa lidhen me besimin.
Këto zhvillime nuk ndodhin në vakuum. Ato lidhen me mënyrën si ndërtohet dhe funksionon sistemi në tërësi. Raporti i RSF mbi lirinë e medias tregoi se presioni politik, ndikimi i pronarëve dhe pasiguria në punë vazhdojnë të kufizojnë pavarësinë editoriale. Në një treg ku informacioni është i pranishëm, por jo gjithmonë i pavarur, mënyra si kuptohen dhe diskutohen këto probleme bëhet po aq e rëndësishme sa vetë problemet.
Në sfond, rruga drejt Bashkimit Europian vazhdon, por jo me të njëjtin ritëm për të gjithë. Ndërsa vende të tjera në rajon avancojnë më shpejt, Shqipëria mbetet në një fazë ku premtimet për afate përplasen me ritmin e reformave dhe dinamikat politike. Në këtë kontekst, vendimet e institucioneve europiane për mbrojtjen e natyrës, si në rastin e gjobave ndaj shteteve që nuk respektojnë standardet, nuk janë thjesht shembuj të largët. Ato janë një tregues i drejtimit që kërkohet.
Artikujt e thelluar të këtij muaji e çojnë këtë tablo edhe më tej. Në zinxhirin ushqimor, produktet që refuzohen nga tregjet europiane gjejnë rrugë drejt konsumatorit shqiptar, duke ngritur pyetje për kontrollin dhe transparencën. Në ekonomi, iniciativa për krijimin e një Dhome Ekonomike të unifikuar hap debat mbi rolin e shtetit në treg dhe kufirin mes përfaqësimit dhe kontrollit.
Në Shqipëri, erozioni po ndryshon vijën bregdetare në mënyrë të ngadaltë, por të qëndrueshme, ndërsa ndërhyrjet njerëzore dhe mungesa e menaxhimit e përshpejtojnë procesin. Edhe në arsim, investimet dhe taksat e mbledhura nuk përkthehen gjithmonë në rezultate të prekshme, duke lënë pas boshllëqe që ndihen në përditshmëri.
Asnjë nga këto histori nuk është e re në vetvete. Ajo që ndryshon është mënyra si ato lidhen mes tyre. Kur njerëzit largohen, kur kapitali zhvendoset, kur shërbimet mbeten të paplota dhe kur besimi lëkundet, këto nuk janë zhvillime të veçanta. Janë pjesë e së njëjtës rrjedhë.
Ndoshta kjo është ajo që e karakterizoi Prillin më shumë se çdo gjë tjetër. Jo një krizë e vetme, por një qartësi më e madhe mbi mënyrën si funksionojnë gjërat, dhe mbi atë që mbetet për t’u bërë.
Nëse dëshironi t’i shihni këto zhvillime më nga afër, ju ftojmë të lexoni artikujt e plotë të këtij muaji dhe të bashkoheni me newsletter-in tonë për të ndjekur çdo publikim në vijim.
Mirupafshim në buletinin e radhës!
Fasada mbi Jetën!
Në intervistë me inxhinierin Azmer Duleviç, folëm për problemet e sigurisë në ndërtim, mungesën e kontrollit në terren dhe shkeljet e standardeve teknike në pallate dhe tregje. Sipas Duleviç, pallatet e reja ngrihen pa shkallë emergjence, pa sistem alarmi, pa dalje funksionale dhe pa akses për zjarrfikësit. Një tjetër shqetësim i inxhinierit janë materialet që përdoren për fasadë, të cilat janë me përmbajtje hidrokarburesh, që favorizojnë zjarrin, ndërsa vendet e Europës e kanë tërësisht të ndaluar.
Problemi shfaqet edhe tek bujtinat, shtëpitë e drurit, pasi instalimet elektrike bëhen me kabuj të papërshtatshëm dhe materiale jo zjarrduruese, duke i kthyer në “kurthe zjarri”. Edhe tregjet janë bomba me sahat: Mbipopullim, instalime elektrike të pasigurta dhe mungesë totale masash parandaluese. Në kontrast, disa ambiente private zbatojnë standarde më të larta sigurie, duke treguar se zgjidhjet ekzistojnë. Pyetja nuk është më se çfarë po ndodh, por kush po i lejon dhe kush do të mbajë përgjegjësi për rastet e radhës?
Atë që s’e hanë europianët, e hamë ne!Produkte që refuzohen nga Bashkimi Europian rikthehen në tregun shqiptar. Të dhënat tregojnë mangësi serioze në kontroll, transparencë dhe gjurmueshmëri. Nga fermeri te laboratori, zinxhiri ushqimor ka boshllëqe që ndikojnë drejtpërdrejt te konsumatori. Mes pasigurisë dhe mungesës së informacionit, pyetja mbetet e hapur: a dimë realisht çfarë po hamë çdo ditë? |
Korporata e Investimeve: Miliona të Shpenzuara, Projekte në LetërQindra miliona lekë nga taksat publike shpenzohen çdo vit për borde, paga dhe konsulencë, ndërsa projektet strategjike mbeten në faza vizatimesh dhe prezantimi. Korporata e Investimeve u krijua për zhvillim ekonomik, por sot bilanci ngre dyshime: kosto në rritje, mungesë transparence dhe projekte që nuk materializohen. |
Dhoma Ekonomike Kombëtare: Nga përfaqësim i biznesit në një hallkë të re kontrolli?Një projektligj që synon të bashkojë biznesin shqiptar nën një institucion të vetëm po has rezistencë të fortë nga vetë sipërmarrësit. Qeveria e quan reformë modernizuese. Kritikët paralajmërojnë tarifa të detyrueshme, më shumë burokraci dhe një strukturë me ndikim të drejtpërdrejtë mbi mënyrën si funksionon tregu në Shqipëri sot. |
Kur administrata kthehet në barrë financiare
Administrata vendore në Shqipëri po përballet me një paradoks, popullsia bie, numri i punonjësve dhe kostot rriten, duke e kthyer atë në një barrë financiare. Pavarësisht rritjes së shpenzimeve, cilësia e shërbimeve dhe transparenca mbeten në pikëpyetje, aq sa vetem një dekadë më pas lindi nevoja për një reformë të re administrativo-territoriale! A po paguajmë më shumë për një administratë më pak efikase?
Nga Shëngjini në Vlorë, Shqipëria po tkurret çdo vitNga Shëngjini në Vlorë, deti po hyn aty ku dikur kishte tokë. Shtëpi, toka bujqësore dhe plazhe po humbin centimetër pas centimetri çdo vit. Ekspertët paralajmërojnë se erozioni në Shqipëri ka hyrë në fazë kritike, i ushqyer nga ndërhyrjet njerëzore, lumenjtë e bllokuar dhe ndryshimet klimatike. Harta po ndryshon ngadalë para syve tanë. |
Arlind Qori: PS-PD bashkë kundër drejtësisë së re!
Arlind Qori në “Table Talk” vjen me një analizë të drejtpërdrejtë mbi klimën politike në vend: Rënia e besimit, protestat që nuk mobilizojnë më dhe një shoqëri gjithnjë e më e zhgënjyer. Ai ngre alarmin për presionet ndaj drejtësisë së re dhe mundësinë e një bashkërendimi PS-PD që mund të prekë SPAK dhe GJKKO, duke u ndalur edhe te çështja “Balluku”.
Diskutimi shkon edhe te Tirana, ku hapësirat publike po zhduken dhe qyteti po bëhet gjithnjë e më i kushtëzuar nga pagesa. Në fund, ai sjell një vizion më të thjeshtë, por thelbësor: Një qytet për njerëzit, jo për interesat.
Investimet Strategjike: Strategji apo Beton?I miratuar për të tërhequr kapital të huaj dhe për të zhvilluar sektorë strategjikë, ligji për “Investimet Strategjike” ka devijuar në praktikë. Shumica e projekteve i janë dhënë për investim kompanive vendase dhe janë përqendruar në turizëm, kryesisht përgjatë vijes bregdetare si resorte, hotele luksoze dhe komplekse turistike. Ky orientim ka nxitur kritika për betonizim dhe për përdorimin e statusit “strategjik” si një mjet për zhvillim të shpejtë imobiliar, ku objektet ndërtohen për shitje dhe jo domosdoshmërisht për të gjeneruar ekonomi afatgjatë. |
Tiranës i mungojnë 8 nga 17 shkollat e premtuaraNjë taksë “e përkohshme” që zgjati 10 vite, preku çdo qytetar dhe biznes dhe premtoi një transformim të arsimit publik në Tiranë. Në fund, rezultati mbetet i pjesshëm: më pak shkolla, planifikim i dobët, mbivendosje financimi, përdorim i diskutueshëm i PPP-ve, mungesë e qartë llogaridhënieje institucionale, asnjë shkollë e re në zona të reja të Tiranës dhe ende klasa me turne dhe me nga 35 nxënës. |
Natyra në alarm: kush po e shkatërron Shqipërinë?
Territori i Shqipërisë po ndryshon me ritme gjithnjë e më shqetësuese. Deti po merr tokë nga bregdeti, pyjet po rrallohen nga prerjet dhe zjarret, lumenjtë e liqenet ndoten, ndërsa betonizimi po ngushton hapësirat natyrore. Ajo që dikur dukej si alarm i largët, sot është realitet i përditshëm.
Në këtë episod të ri të TableTalk, me ekspertin e mjedisit Olsi Nika, flasim hapur për krizën mjedisore që po zhvillohet në Shqipëri: çfarë po e shkakton, pse po përkeqësohet dhe çfarë mund të bëhet ende për ta ndalur.
Pyetja mbetet thelbësore: A po humbasim pasurinë tonë më të madhe pa kthim?









