- ACQJ's Newsletter
- Posts
- Buletini Mujor Nëntor 2025
Buletini Mujor Nëntor 2025
Rrëfime nga ekonomia, drejtësia, jeta sociale dhe komunitetet që formëzuan Nëntorin
Nëntori në Fokus
Nëntori i këtij viti ishte një muaj që na la pa frymë. Një muaj ku Shqipëria u lëkund mes premtimeve dhe realitetit, mes shifrave që nuk përputhen me jetën e përditshme dhe institucioneve që tundin themele të brishta. Ekonomia, drejtësia, siguria publike, arsimi, mjedisi dhe jeta urbane, të gjitha u shfaqën në një panoramë të thellë kontrastesh, por edhe reflektimesh. Ky buletin Ju sjell në një rrëfim të vetëm gjithçka kemi botuar gjatë këtij muaji, në mënyrë që t’i riktheheni historive që formëzuan debatin publik.
Ekonomia që merr frymë rëndë
Muaji nisi me një tronditje monetare: kursi i këmbimit ndryshoi ritmin e ekonomisë, pasi hulumimi jonë na tregoi një panoramë ku fituesit dhe humbësit ndërrojnë vendet përditë. Në të njëjtën kohë, qeveria vijoi linjën e optimizmit me premtime për paga më të larta, por një analizë e thjeshtë vë në qendër pyetjen thelbësore: a ndihen realisht qytetarët më mirë?
Nga tregu tek bujqësia, vendi vazhdon të varet nga premtimet e pambajtura. Prej dy vitesh bujqësia mbetet ende në pritje të fondeve, ndërsa fermerët përballen me pasiguri. E ndërkohë që qeveria deklaron se e ardhmja do të vijë me investime, Projektbuxheti 2026 tregon një të vërtetë më komplekse: një faturë në rritje që peshon mbi të gjithë ne. Shoqëria civile nuk heshti, në analizën Shoqëria civile kritikon reformat qeveritare, zëri i organizatave risjell në vëmendje hendekun e thellë mes ligjit në letër dhe realitetit në terren.
Drejtësia, krimi dhe institucionet nën presion
Në frontin e drejtësisë, muaji u shënua nga vendimi që trazoi politikën: Gjykata Kushtetuese shpalli Veliajn “Fitues”, duke e rikthyer sërish në detyrë mes akuzave të shumta. Ndërkohë, gazetaria e përgjegjshme mbetet thelbësore, siç treguam në reportazhin tonë Të raportosh drejt për drejtësinë!, ku standardet profesionale të raportimit gjyqësor u vendosën në qendër të debatit.
Por përballë reformave, korrupsioni vijon të hedhë rrënjë të thella. Spak ka vijuar tue marrë të pandehur të tjerë zyrtarë të lartë dhe hetimet po prekin nivele të pambërritura më parë. Në terren, krimi tregoi se nuk ka frikë: dy vrasje në 1 muaj ishte një alarm i fortë për mangësitë e sigurisë publike. Situata është e rëndë edhe brenda vetë strukturave të rendit, ku oficerët e plicisë ende gjenden në shërbim të krimit, dhe raportimi jonë ekspozon infiltrimin e bandave në nivele që duhet të na shqetësojnë të gjithëve.
Institucionet e pavarura? Prej tre vitesh vendi pret një Avokat të ri të Popullit dhe kjo dëshmon për bllokimin e mekanizmave demokratikë. E ndërkohë, ndërhyrjet për lirimin e hapsirave publike treguan se pas fasadës së rregullit ka më shumë konfuzion, presion dhe pabarazi sesa duket.
Media, arsimi dhe kontrolli i informacionit
Gazetarët këtë muaj panë një realitet të njohur: presion dhe mungesë transparence. Liria e medias në vendnumëro solli vlerësimin e BE-së, që tregon se progresi mbetet minimal. Ky problem shfaqet edhe më qartë në analizën tonë të thelluar Nga redaksia te pushteti: Lidhjet që po e vrasin lirinë e medias, ku ndërlidhjet e rrezikshme mes politikës dhe pronësisë mediatike po deformojnë hapësirën publike.
Kriza nuk ndalet te media, ajo prek edhe universitetet. Një raportim i Qëndresës Qytetare ekspozon një sistem të tërë të përmbysur, ku prioritetet nuk janë dija, por burokracia dhe kostot e administratës. Thellë brenda këtij sistemi, Raporti: 50 pedagogë dhe punonjës nën hetim, u rikthyen në auditore vë gishtin mbi plagën e korrupsionit në arsimin e lartë.
Jeta urbane, mjedisi dhe trashëgimia e rrezikuar
Në zemër të Tiranës, realiteti shfaqet i ashpër: Fëmijët që “punojnë natën”: Shfrytëzim në zemër të Tiranës na rikujton se shfrytëzimi i fëmijëve nuk është një histori e largët, por një plagë e gjallë në rrugët tona. Po aq tronditëse është braktisja e trashëgimisë, siç treguam në reportazhin tonë mbi "Urën e Zogut", një simbol i harresës institucionale.
Muaji na solli edhe rrëfime që tregojnë mungesën e vizionit afatgjatë: Nismat për mjedisin, pa efekt dëshmon se lufta ndaj plastikës ka mbetur vetëm slogan, ndërsa vijimi i përmbytjeve të përvitshme tregon mungesën e një strategjie të mirëfilltë kundër fenomeneve që përseriten çdo vit. Në infrastrukturë, realiteti shpesh është edhe më i zymtë: Rrugët që të lënë në rrugë! analizoi rast pas rasti shembjet, tejkalimet dhe cilësinë e dobët të projekteve më të kushtueshme të vendit.
Komunitetet dhe historitë që duhen dëgjuar
Në Kukës, sfidat ekonomike dhe sociale vijojnë ende të dominojnë debatin shoqëror, ku migrimi, mungesa e forcës punëtore dhe shpresës për rikthim mbeten ende plagë të hapura për qytetin veri-lindor.
Ky ishte Nëntori ynë: një muaj plot me sfida, histori dhe zëra që nuk duhen humbur. Nëse keni qenë të zënë, ky buletin ju rikthen tek çdo rrëfim, analizë dhe investigim që ndihmon të kuptojmë më mirë vendin ku jetojmë.
Ju ftojmë t’i lexoni, t’i ndani dhe të bëheni pjesë e këtij rrëfimi të përbashkët, sepse gazetaria ka kuptim vetëm kur është e hapur, e guximshme dhe pranë njerëzve.
Mirupafshim në bule e radhës!
Rritja pensioneve: shumë pak për të jetuar, shumë vonë për të pritur!Rritja e paralajmëruar e pensioneve sjell më shumë premtime se zgjidhje. Qeveria e quan “revolucion”, por ekspertët thonë se është vetëm një bonus i përkohshëm që nuk ndryshon realitetin e varfërisë. Ndërsa skema e pensioneve mbetet e paqëndrueshme, të moshuarit vazhdojnë të jetojnë në kufijtë e mbijetesës. |
Dilema e azilit: braktisje apo shpëtim?Midis paragjykimit dhe nevojës, azili po bëhet strehë e pashmangshme për shumë të moshuar në Shqipëri. Rritja e kërkesave, fondet e pamjaftueshme dhe mungesa e kujdesit afatgjatë zbulojnë një realitet ku vetmia është më e madhe se mundësitë për përkujdesje. |
Sfida e heshtur e mjekëve: Burnout dhe pasojat e tij
Në një bisedë me mjeken pediatre dhe ambasadoren e të rinjve në BE Dr. Lorena Gjoni, trajtuam sindromën Burnout tek mjekët, një problem që prek gjithnjë e më shumë profesionistët e shëndetit. Folëm për shkaqet e lodhjes profesionale, ndikimin që ajo ka në kujdesin ndaj pacientëve dhe sfidat me të cilat përballen mjekët çdo ditë, përfshirë edhe situatat me sjellje të papërshtatshme nga qytetarët.
Kriza e sigurisë në shkollat shqiptareShkollat shqiptare po përballen me një krizë të thellë sigurie, ku konfliktet mes adoleshentëve, dhuna me armë të ftohta dhe presioni i rrjeteve sociale ekspozojnë boshllëqet e institucioneve. Nga reagimi i vonuar i autoriteteve te mungesa e mbështetjes psiko-sociale, realiteti i klasave është shndërruar në një alarm kombëtar. |
Cilësia e ujërave në Shqipëri, alarm për shëndetin publik
Në këtë episod të “Table Talk”, i ftuar është Erjon Kalaja, ekspert për menaxhimin e burimeve ujore pranë Fondacionit H2H. Biseda sjell rezultatet alarmante të fushatës së monitorimit “Active Water II”, që tregojnë se pothuajse të gjitha rezervuarët dhe liqenet e monitoruara në Shqipëri kanë ngarkesë të lartë bakteriale.
Kalaja shpjegon se shkaktarët kryesorë janë shkarkimet e ujërave të zeza, mbetjet bujqësore dhe ndërtimet e pakontrolluara pranë liqeneve, duke paralajmëruar se ndotja po kërcënon seriozisht shëndetin publik. Ai solli shembullin ekstrem të Vijës së Ngjalës, ku u regjistrua 420 herë mbi normë ngarkesa bakteriale Escherichia coli, pasojë e derdhjeve të vazhdueshme të ujërave të zeza dhe mbetjeve industriale. Shqipëria, sipas Kalasë, është “vite dritë larg standardeve të BE-së”.




