Buletini Mujor Janar 2026

Janari 2026: Një muaj i rëndë për jetën e përditshme

Janari në Fokus

Janari i këtij viti nuk nisi me qetësi. Nisi me shi që përmbyti rrugë, me dëborë që bllokoi fshatra, me zjarre që lanë pas humbje dhe me qytetarë që, edhe një herë, u përballën të vetëm me pasojat. Ishte një muaj që e vendosi jetën e përditshme nën presion dhe i bëri të dukshme problemet që zakonisht fshihen pas statistikave, premtimeve dhe sloganeve.

Në fillim të vitit, moti ekstrem u kthye në pasqyrë të një realiteti të njohur: mungesë parandalimi, infrastrukturë të brishtë dhe reagim të vonuar institucional. Historia e qyteteve të paralizuara nga shiu, e rrugëve të përmbytura dhe e shkollave të mbyllura nuk është thjesht një lajm sezonal, por një rikujtesë se sa pak është bërë për t’u përgatitur për kriza që tashmë nuk janë përjashtim, por rregull. Në të njëjtën linjë, rrëfimet për përmbytje, dëborë dhe zjarre brenda pak ditësh nxorën në pah një shtet që vepron pasi dëmi ka ndodhur, ndërsa qytetarët mbeten në pritje të ndihmës.

Në kryeqytet, uji – elementi më bazik i jetës – u shfaq si problem në dy forma të kundërta, por po aq shqetësuese. Nga njëra anë, ujërat e zeza që derdhen në lumenj dhe hapësira urbane, mes investimeve minimale dhe heshtjes institucionale, rrezikojnë shëndetin publik dhe mjedisin. Nga ana tjetër, premtimet për shërbime moderne bien ndesh me realitetin e kanalizimeve të amortizuara dhe mungesës së kontrollit.

Janari solli edhe zëra që rrallë dëgjohen. Personat e verbër, mes ligjeve që ekzistojnë vetëm në letër dhe shërbimeve që mungojnë në praktikë, u bënë pjesë e një rrëfimi që flet për përjashtim të heshtur. Rehabilitimi, arsimi, punësimi dhe infrastruktura e aksesueshme mbeten premtime të pambajtura, ndërsa familjet mbajnë mbi supe barrën që institucionet nuk e marrin përsipër. Në të njëjtën frymë, mungesa e llogaridhënies në shëndetësi dhe mungesa e regjistrave publikë tregojnë se sa e vështirë është të kërkosh transparencë në një sistem ku qytetarët flasin për ryshfet, por të dhënat zyrtare heshtin.

Shëndeti publik u vu në provë edhe nga një tjetër fenomen i kohës: dezinformimi. Historia e një të reje që u përball me panik dhe frikë pas një kërkimi të thjeshtë online nuk është rast i izoluar. Përdorimi i pakontrolluar i inteligjencës artificiale për këshilla shëndetësore dhe humbja e besimit te mjeku real krijojnë rreziqe të reja, të cilat ende nuk po trajtohen seriozisht. Në të njëjtën kohë, alarmi për qumështin “Aptamil”, i ndezur fillimisht në Kosovë dhe i reflektuar me vonesë në Shqipëri, ngriti pikëpyetje të forta mbi sigurinë ushqimore dhe funksionimin e mekanizmave të paralajmërimit.

Ekonomia e përditshme ishte një tjetër bosht i fortë i këtij muaji. Nga njëra anë, turizmi vazhdon të rritet dhe të sjellë përfitime makroekonomike; nga ana tjetër, rritja e qirave, e çmimeve dhe e kostos së jetesës po e bën qytetin gjithnjë e më të papërballueshëm për banorët. Të jetosh me qira në Shqipëri po shndërrohet në një sfidë që konsumon paga dhe shtyn të rinjtë drejt zgjedhjeve të detyruara. Paralelisht, skema e re e kompensimit për arsimin e fëmijëve, e prezantuar si lehtësim fiskal, rrezikon të përjashtojë pikërisht ata që kanë më shumë nevojë për mbështetje.

Në prapaskenë, shifrat flasin për dështime strukturore. Qindra projekte publike të parealizuara, miliarda lekë të buxhetuara dhe zero investime konkrete tregojnë se problemi nuk është mungesa e fondeve, por mungesa e përgjegjësisë. Në sektorin e ndërtimit, një nga motorët kryesorë të ekonomisë, dalin në pah paga fiktive, kontrata informale dhe një zinxhir abuzimesh që shtrihet nga leja e ndërtimit deri te shitja finale e apartamenteve.

Janari solli edhe reflektim për të ardhmen. Arsimi i lartë po përballet me auditorë bosh, kuota të paplotësuara dhe një orientim masiv drejt pak degëve “të sigurta”, ndërsa mësuesia dhe fusha të tjera jetike mbeten pas. Të rinjtë përballen me zgjedhje të kufizuara, mes emigrimit, tregut të punës dhe një sistemi arsimor që po humbet lidhjen me realitetin.

Ky ishte Janari ynë: një muaj me histori që flasin për jetën reale, për njerëz konkretë dhe për pasoja që nuk mbarojnë me mbylljen e lajmit. Nëse i keni humbur këto rrëfime, ju ftojmë t’i riktheni, t’i lexoni me qetësi dhe t’i ndani. Sepse vetëm duke i mbajtur këto histori gjallë, mund të kuptojmë më mirë se ku jemi, dhe ku po shkojmë.

Mirupafshim në buletinin e radhës!

(Mos)dekriminalizimi i shpifjes: reforma që e la median nën presion

Parlamenti shqiptar miratoi ndryshime në Kodin Penal që, teorikisht, synojnë dekriminalizimin e shpifjes. Por a është kjo një reformë reale, apo thjesht një zgjidhje e pjesshme që ruan mekanizmat e presionit mbi median? Gazetarë, ekspertë të lirisë së shprehjes dhe aktorë politikë analizojnë pasojat e ndryshimeve të fundit: përjashtime të kufizuara për “gazetarë të regjistruar”, mbajtjen në fuqi të veprës penale të fyerjes dhe rrezikun e krijimit të një sistemi kontrolli mbi profesionin e gazetarit.

Të jetosh me qira në Shqipëri, një sfidë që kushton shtrenjtë!

Të jetosh me qira në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më e vështirë për familjet dhe të rinjtë. Çmimet rriten me ritme më të shpejta se pagat, ndërsa tregu mbetet pothuajse i parregulluar. Nga zonat qendrore të Tiranës deri në periferitë urbane, qiraja po konsumon një pjesë disproporcionale të të ardhurave mujore.

Ozempic: Nga nevoja mjekësore tek abuzimi masiv

 I krijuar për të trajtuar diabetin e tipit 2, Ozempic është kthyer në një trend global për rënie të shpejtë në peshë. I promovuar nga yje të Hollywood-it dhe rrjetet sociale, medikamenti po përdoret masivisht edhe në Shqipëri, shpesh pa recetë dhe pa mbikëqyrje mjekësore. Ndërkohë që kërkesa rritet për arsye estetike, pacientët diabetikë përballen me mungesa në treg, ndërsa rreziqet shëndetësore po shtohen

Pasion dhe Pengesa, si është të bësh gazetari në Shqipëri

Të jesh gazetar në Shqipëri nuk është e lehtë, dhe të jesh gazetare grua është e veshtirë! Me Blerjana Binon, Drejtuese Ekzekutive e SciDEV, biseduam për veshtirësitë, nga kërcenimet për pushim nga puna, tek ngacmimet në vendin e punës, por edhe për të drejtat që mbeten vetëm të shkruara në Kodin e Punës!

Arsimi i Lartë, sfida, kuotat bosh: Të gjithë drejt Mjekësisë, pak drejt mësuesisë!

Arsimi i lartë në Shqipëri po përballet me një paradoks të thellë: auditorë bosh, ndërsa të rinjtë largohen ose grumbullohen vetëm në pak degë “të sigurta”. Mes kuotave të paplotësuara, emigrimit masiv dhe programeve që rrezikojnë mbylljen, universitetet po humbasin lidhjen me realitetin demografik dhe tregun e punës. Shifrat zyrtare, ekspertët dhe zërat nga brenda sistemit zbulojnë një krizë strukturore që prek jo vetëm arsimin, por të ardhmen e vendit.

Fëmijëria nën presionin e ekranit: rreziqet që prindërit nuk i shohin

Fëmijëria nën presionin e ekranit: rreziqet që prindërit nuk i shohin Çfarë po ndryshon në mënyrën se si rriten fëmijët sot? Nga lojërat online te platformat digjitale, rreziqet nuk janë gjithmonë të dukshme. Përtej argëtimit, ekziston një realitet që kërkon vëmendje, informim dhe përgjegjësi prindërore. Suela Koçibellinj, në një intervistë për ACQJ, flet për rreziqet që fshihen pas ekranit dhe pse prindërit duhet të jenë më vigjilentë se kurrë. 

Pse mbeti pa kripë autostrada më e shtrenjtë në vend?

Akull në asfalt, dhjetëra aksidente dhe një autostradë me pagesë pa kripë. Në ditët e para të janarit, Milot–Morinë u shndërrua në një rrugë rreziku, ku siguria u ofrua vetëm pasi ndodhën përplasjet. Një koncesion milionash, detyrime kontraktuale të qarta dhe një pyetje që mbetet: kush mban përgjegjësi?

Siguria publike në alarm! 

Në “Table Talk” i ftuar eksperti i sigurisë Fatjon Softa, i cili flet hapur për problematikat serioze të sigurisë në vend, nga tregjet pa masa bazë kundër zjarreve, te dështimi i protokolleve në institucionet shtetërore dhe trajtimi i gabuar i personave me rrezikshmëri të lartë. Softa ndalet edhe te përdorimi i gazit lotsjellës në protesta, duke theksuar se duhet të zbatohet parimi i proporcionalitetit dhe jo përdorimi pa kriter, që sjell pasoja edhe për qytetarë dhe ambiente që nuk kanë lidhje me protestën.

Eksperti nënvizon gjithashtu se në Shqipëri ka më shumë viktima nga aksidentet sesa nga krimi, duke treguar se rreziqet reale shpesh keqvlerësohen dhe siguria trajtohet pa standarde të qarta.